Qasja në ujë të pastër është një e drejtë themelore dhe një nevojë esenciale për shëndetin dhe mirëqenien e çdo individi. Në Kosovë, pavarësisht përparimeve në disa fusha, shumë komunitete lokale ende përballen me sfida të mëdha për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë të pijshëm. Këto sfida janë komplekse dhe të ndërlidhura, duke përfshirë aspekte infrastrukturore, ekonomike dhe mjedisore.

Edhe pse planeti ynë është i mbuluar në më shumë se 70% nga uji, vetëm një përqindje shumë e vogël e tij është e disponueshme për pije dhe bujqësi. Vetëm 3% e ujërave globale janë të ëmbla, dhe pjesa më e madhe e tyre është e ngrirë në akullnaja. Kjo lë më pak se 1% të ujit në dispozicion për nevoja njerëzore dhe bujqësore. Me zhvillimin dhe dyndjet në zonat urbane, kjo sasi e vogël bëhet gjithnjë e më e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat tona ushqimore dhe ujore. Për më tepër, uji që kemi në dispozicion është duke u ndotur gjithnjë e më shumë, duke çuar në uljen e nivelit të ujit në qytetet e mbipopulluara.

Përveç kësaj, moti ekstrem i shkaktuar nga ndryshimet klimatike e përkeqëson edhe më tej situatën, duke e bërë atë një problem gjithnjë e më shqetësues për të ardhmen tonë.

Në vitin 2010, përmes një rezolute, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së njohu në mënyrë eksplicite të drejtën për ujë dhe kanalizime dhe pranoi se uji i pastër i pijshëm dhe kanalizimet janë thelbësore për të gjitha të drejtat e njeriut.

Megjithatë, keqpërdorimi i ujërave nëntokësore dhe keqmenaxhimi i tyre prej vitesh dhe ndotja e ujërave të ëmbla kanë rritur stresin e ujit e në disa vende gjithashtu ka sfida për shkak të dëmtimit të ekosistemeve të lidhura me ujin, mungesës së ujit që rrjedh nga ndryshimet klimatike dhe investimeve të pamjaftueshme në ujë dhe kanalizime.

Uji në numra
— 771 milionë njerëz në botë nuk kanë qasje në ujë të sigurt për pije (Water.org).
— 829,000 vdekje çdo vit shkaktohen nga diarreja për shkak të ujit të pasigurt dhe mungesës së kushteve sanitare (OBSH).
— 844 milionë njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të pastër (UNICEF).
— 2.3 miliardë njerëz nuk kanë qasje në tualete dhe objekte bazë sanitare (UNICEF).
— Uji i ndotur dhe kanalizimet janë shkaqet kryesore të vdekjes tek fëmijët nën moshën 5 vjeç.

Kosova dhe Sfidat e komuniteteve lokale

Kosova ka burime të limituara të ujit dhe ndryshimet klimatike po përkeqësojnë situatën. Thatësirat dhe reshjet e pakta të shiut po ndikojnë negativisht në rezervat ujore, duke vënë në rrezik furnizimin e rregullt me ujë për komunitetet lokale. Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve ekzistuese dhe identifikimi i burimeve të reja janë të nevojshme për të përballuar këtë sfidë.

Pas vitit 2023, që ishte viti me i nxehtë ndonjëherë edhe vera apo i tërë viti 2024 është rrugës për t’u regjistruar si viti me i nxehtë në botë. Si pasojë e nxehtësisë ekstreme këtë verë, shumë qytete dhe fshatra në Kosovë kanë pasur mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo mungesë e furnizimit detyron familjet që kanë të ardhura më të ulëta që furnizimin ta bëjnë me ujë të pijshëm nga hapja e puseve apo bunarëve. Dhe kjo rrit rrezikun për sëmundje të ndryshme, pasi ky ujë, vlerësohet se nuk i përmbush standardet e parapara për pije. Si rrjedhojë, banorët që e përdorin këtë ujë, janë të rrezikuar më shumë nga infeksionet, bakteret, diarreja e të tjera.

Zgjidhjet individuale, kyçjet ilegale, ndërtimet e shtuara, në disa raste, rrjetet e vjetërsuara po çojnë në humbje të ujit përmes rrjedhjeve dhe ndotjen e ujit të pijshëm. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës janë të domosdoshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë.

Puna trevjeçare e organizatës “Let`s Do it Peja” ka identifikuar komunitete në Kosovë që jetojnë pranë ujërave të ndotura dhe përballen me pasoja të rënda shëndetësore, të cilat pastaj janë përshkruar ne një raport. Në këto komunitete është vrejtur ujë i ndotur i cili përmban substanca të rrezikshme, si metale të rënda, kimikate dhe baktere, të cilat dëmtojnë shëndetin e njerëzve.

Raporti tregon se në qytetet si Gjilani, Gjakova, Mitrovica dhe Lipjani, komunitetet kanë qasje në ujë shumë të ndotur, duke rrezikuar shëndetin e tyre. Po ashtu, në Zhur, Obiliq dhe Vushtrri, mungesa e ujit të sigurt dhe të pastër është e theksuar për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe ndotjes nga industria dhe bujqësia.

Foto nga zona e Gjilanit
Foto nga zona e Gjilanit

Për më tepër, reshjet e dendura dhe infrastruktura e pamjaftueshme kanë sjellë përmbytje në zona si Gjakova, Malisheva dhe Mitrovica, duke shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi, biznese dhe infrastrukturë. Ujërat e përmbytjeve bartin ndotës, si ujërat e zeza dhe kimikatet, që përkeqësojnë gjendjen e burimeve ujore dhe përbëjnë kërcënim për shëndetin e komuniteteve të prekura.

Mitrovica — Nentor 2022

Përballja me këto sfida kërkon masa të menjëhershme, si monitorimi i cilësisë së ujit, pastrimi i burimeve ujore dhe rehabilitimi i infrastrukturës, për të siguruar që çdo komunitet të ketë qasje në ujë të sigurt dhe të pastër.

Problemet ekonomike dhe financimi

Problemet ekonomike dhe mungesa e financimit janë pengesa kryesore për përmirësimin e furnizimit me ujë në komunitetet lokale. Shpeshherë, komunat nuk kanë burime financiare të mjaftueshme për të ndërtuar ose mirëmbajtur infrastrukturën e nevojshme për ujë të pastër dhe kushte sanitare, pasi këto investime kërkojnë shuma të mëdha parash që tejkalojnë buxhetet lokale.

Kostot e larta operacionale dhe mirëmbajtjes së sistemeve të vjetëruara të furnizimit me ujë janë një tjetër sfidë, të përkeqësuara nga krizat ekonomike dhe inflacioni, që ndikojnë negativisht në sigurimin e fondeve të qëndrueshme për projekte të tilla. Financimi ndërkombëtar dhe bashkëpunimi me organizata të huaja ofrojnë një zgjidhje të pjesshme, por këto fonde janë shpesh të kufizuara dhe të kushtëzuara nga kërkesa specifike, duke vështirësuar zbatimin e projekteve në kohë.

Për të përballuar këto sfida, është thelbësore që komunat të forcojnë kapacitetet e tyre në menaxhimin e projekteve dhe të sigurojnë përdorim efikas dhe transparent të fondeve. Gjithashtu, krijimi i partneriteteve të qëndrueshme me sektorin privat dhe donatorët ndërkombëtarë është jetik për përmirësimin e infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve në komunitetet lokale.

Fuqizimi i Komuniteteve për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit

Zgjidhja e sfidave të qasjes në ujë të pastër në Kosovë kërkon një qasje të integruar dhe të qëndrueshme. Qeveria, organizatat dhe komunitetet lokale duhet të punojnë së bashku për të përmirësuar infrastrukturën, mbrojtur burimet ujore dhe siguruar financimin e nevojshëm. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët mund të sigurohet që çdo qytetar të ketë qasje në ujë të pastër dhe të sigurt.

Është gjithashtu thelbësore të nxisim një kulturë të ruajtjes së ujit dhe mbrojtjes së mjedisit, duke përfshirë të rinjtë dhe duke integruar teknologji të reja për monitorimin dhe menaxhimin e burimeve ujore. Ky angazhim i përbashkët dhe proaktiv do të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të sigurt për të gjithë.

Ndërgjegjësimi për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe praktikat e mira higjienike janë thelbësore për komunitetet lokale në Kosovë. Fushatat e edukimit publik dhe programet e ndryshme të ngritjes së kapaciteteve, qofshin ato përmes trajnimeve apo punëtorive, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e sjelljeve dhe promovimin e përdorimit të përgjegjshëm të ujit.