Uji paraqet një prej elementeve kyçe për realizimin e zhvillimit të qëndrueshëm të mjedisit jetësor. Gjendja dhe cilësia e ujërave janë me rëndësi thelbësore për zhvillimin socioekonomik, mbrojtjen e mjedisit, ekzistencën dhe mirëqenien e njerëzimit. Si resurs i pazëvendësueshëm i kufizuar, mund të rigjenerohet vetëm nëse i njëjti menaxhohet në mënyrë adekuate. Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve ujore paraqet sfidë të madhe dhe çekuilibrim gjithnjë e më të madh mes ofertës dhe kërkesës për ujë në shumë pjesë të Evropës, si dhe në Kosovë.

Rezervat e ripërtëritshme të ujit në Kosovë janë relativisht të pakta. Vetëm 10% e ujërave të Kosovës janë ujëra të jashtme (që vijnë nga shtetet fqinje). Ujërat e brendshme gjenerohen nga të reshurat, e që më pas janë një bilanc midis reshjeve, avullimit dhe rrjedhjes. Pra shumica e ujërave të Kosovës burojnë brenda shtetit dhe derdhen në shtetet fqinje shpejtë, meqë pozicioni gjeografik dhe territori i vogël i Kosovës pamundëson akumulimin e ujërrjedhave në lumenj dhe liqene natyrore.

Në Kosovë, qasja në sistemet e furnizimit me ujë është relativisht e lartë, me rreth 94.5% të popullsisë kanë qasje në ujë të pastër. Në këto zona, furnizimi me ujë shpesh bëhet nga burime individuale ose natyrore. Prej këtyre banorëve që kanë qasje në sisteme të ujësjellësit, 79% jetojnë në vendbanime ku sistemet e ujësjellësit menaxhohen nga Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU-të), ndërsa pjesa tjetër në vendbanime ku sistemet e ujësjellësit menaxhohen nga komuniteti. Rreth 96,000 banorë (279 fshatra) jetojnë në zona rurale që nuk kanë sisteme publike të furnizimit me ujë, pra furnizimi i popullsisë me ujë bëhet në shumicën e rasteve nga puset individuale (në disa raste edhe nga burime natyrore të ujit), e shumica nga këto fshatra janë ose fshatra malore, ose kufitare me shumë pak banorë. Që do të thotë se duhet shikuar edhe kost-benefitin e vendosjes së një sistemi publik.

Hulumtimet e kryera për sistemet rurale të furnizimit me ujë nga bunarët ose puset apo ndonjë sistem tjetër furnizimi, që nuk menaxhohen nga KRU-të, tregojnë se shumica e tyre operohen dhe mirëmbahen keq. Një nga problemet kryesore është mungesa e monitorimit të cilësisë së ujit, e cila rrit rrezikun për shëndetin e popullatës që përdor këtë ujë. Uji që furnizohen nëpërmjet këtyre sistemeve (meqenëse nuk ka një furnizues të ujit të licencuar siç është rasti me KRU-të), nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli të rregullt për cilësinë dhe sigurinë e tij, duke e bërë të pamundur për konsumatorët të dinë se çfarë lloj uji konsumojnë.

Në të njëjtën kohë, burimet e ujit nga të cilat furnizohen këto sisteme nuk kanë zona të mbrojtura dhe nuk aplikohen masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre, në përputhje me legjislacionin aktual për mbrojtjen e burimeve të ujit. Komuniteti në këto fshatra gjithashtu përballen me mungesën e marrëveshjeve formale me autoritetet lokale ose me agjencitë e ujësjellësit për ofrimin e mbështetjes teknike, pagesën e shërbimeve të ujit dhe investimet e nevojshme. Kjo gjendje rrit rrezikun për ndërprerje të furnizimit me ujë dhe cilësi të ulët të shërbimeve. Në këto kushte, edhe siguria e ujit në zonat rurale ku furnizimi bëhet nga burimet individuale të ujit është në rrezik. Puset, që janë burimet kryesore për këtë kategori të popullsisë, shpesh nuk janë të ndërtuara në përputhje me standardet e mbrojtjes dhe sigurimit nga ndotjet potenciale.

Për të adresuar këto sfida, nevojitet angazhimi i përbashkët i KRU-ve, komunave, organizatave jo-qeveritare dhe komuniteteve për të siguruar qasje tërheqëse dhe të qëndrueshme në ujë të pastër për të gjithë qytetarët.

Në kohën kur ndryshimet klimatike, shkatërrimi i biodiversitetit, ndotja e ajrit, ujit dhe shfrytëzimi i pamenduar i burimeve natyrore janë shqetësime që përshkruajnë agjendën globale, Dita Ndërkombëtare e Tokës na inkurajon të ndërmarrim veprime të nevojshme për të mbrojtur dhe restauruar ekosistemet tona.

Për të përballuar sfidat e kohës së sotme, është e rëndësishme që të marrim masa të menjëhershme për të zvogëluar ndikimin negativ në mjedis dhe për të ndërtuar një ambient më të qëndrueshme dhe të shëndetshëm për brezat e ardhshëm.

Kjo ditë na ofron një rast për të ngritur vetëdijen për këto sfida dhe për të inkurajuar veprime konkrete për t’i adresuar ato.

Është e rëndësishme të reflektojmë mbi impaktin që veprimet tona të përditshme kanë në mjedis dhe të identifikojmë mënyra për të bërë ndryshime pozitive. Për shembull, praktikat e qëndrueshme si zvogëlimi i konsumit të plastikës, mbjellja e pemëve, përdorimi i transportit publik dhe investimi në burime të rinovueshme energjetike janë disa nga mënyrat në të cilat mund të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit tonë.

Ndërsa sot që po e shënojmë Ditën e Tokës, po e përmbyllim këtë copëz shkrimi me një thënie të shkrimtarës gjermane Luise Rinser “Zoti ia besoi njeriut Tokën për ta mbrojtur, jo për ta shfrytëzuar”.