Trajtimi i mendimeve, shqetësimeve dhe perceptimeve të qytetarëve për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Pejës ishte në fokus të projektit “Avokimi për përmirësimin e shërbimit të Menaxhimit të Mbeturinave në Komunën e Pejës”.
Në kuadër të këtij projekti u realizua intervistimi i përfaqësuesve komunal për të identifikuar nevojat dhe sfidat e sektorit të mbeturinave në komunën e Pejës si dhe intervistimi i qytetarëve për të njohur perceptimin e tyre rreth sistemit dhe cilësisë së grumbullimit dhe pastrimit të mbeturinave në vend.
Gjetjet u pasqyruan në Raportin Hulumtues, i cili përmban informacion mbi sektorin e mbeturinave, rezultatet e studimit dhe rekomandimet e adresuara nga qytetarët. Ky raport u prezantua në Asamblenë Komunale, në një tryezë të rrumbullakët me qytetarët, OJQ-të, grupet e interesit dhe në një konferencë për mediat.
Dokumenti i është dorëzuar të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal, Kryetarit të Komunës, Drejtorisë Komunale për Shërbime Publike dhe Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Mbeturinave përgjegjëse për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Ky projekt u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nëpërmjet programit Grass Roots Action Support – GRAS, të menaxhuar nga IKS, Lens dhe FES.