KU FILLOJ E GJITHA…

Kush jemi ne?

Rilindja Gjelbër është organizatë aktive mjedisore në Kosovë. Fillimisht lindi si një nismë qytetare nga një grup aktivistësh mjedisor dhe evoluoi shpejt si një entitet në vetvete. Me nismat dhe projektet e zbatuara ndër vite jemi angazhuar të avokojmë, edukojmë dhe bashkëpunojmë në dobi të mbrojtjes së mjedisit, uljes së efektit të ngrohjes globale, ndryshimeve klimatike dhe promovimit të axhendës së zhvillimit të qëndrueshëm globalisht. 

Duke konsideruar shkallën e sfidave dhe shqetësimeve mjedisore në vend, nisma Let’s Do It Peja evoluoi shpejt në një entitet me aktivitete gjatë tërë vitit, për të mos e kufizuar veprimtarinë e saj në një ditë të vetme. Në vitin 2014 u regjistrua si organizatë joqeveritare tërësisht e pavarur nga iniciativa e cila buron. Gjatë këtyre viteve, organizata Let’s Do It Peja ka luajtur rol aktiv në përmirësimin, ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Transformimi i organizatës gjatë dekadës

2014

Themelimi dhe Regjistrimi Zyrtar

Let’s Do It Peja filloi si një iniciativë qytetare e udhëhequr nga një grup aktivistësh mjedisorë në Pejë. Në vitin 2014, organizata u regjistrua zyrtarisht si një organizatë joqeveritare e pavarur, duke shënuar një hap të madh drejt formalizimit të veprimtarive të saj për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

2015-2016

Zgjerimi i Aktivitetit dhe Fokusimi në Edukimin Mjedisor

Gjatë këtyre viteve, Let’s Do It Peja u përqendrua në edukimin mjedisor dhe ndërgjegjësimin e publikut. Organizata filloi të zhvillojë aksione të mëdha pastrimi dhe fushata për mbjelljen e pemëve, duke inkurajuar qytetarët të marrin pjesë në përmirësimin e mjedisit lokal.

2017-2018

Rritja e Bashkëpunimeve Ndërkombëtare

Let’s Do It Peja zgjeroi partneritetet me organizata ndërkombëtare si BE, USAID, dhe UNDP. Këto bashkëpunime ndihmuan në rritjen e kapaciteteve organizative dhe forcimin e ndikimit në komunitet. Organizata nisi gjithashtu projekte për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe trajtimin e ndotjes.

2019

Fokusi në Ekonominë Qarkore dhe Ndërmarrësinë Sociale

Let’s Do It Peja filloi të promovojë konceptin e ekonomisë qarkore dhe ndërmarrësisë sociale. Kjo përfshinte projekte për riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve, si dhe inkurajimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit në nivel lokal.

2020

Anëtarësimi në Rrjete Ndërkombëtare

Organizata u bë anëtare aktive në disa rrjete ndërkombëtare, duke përfshirë Global Waste Cleaning Network (GWCN) dhe Organizatën Ndërkombëtare të Konservimit të Kopshteve Botanike (BGCI). Ky anëtarësim përforcoi kapacitetet e organizatës dhe rriti mundësitë për bashkëpunime ndërkombëtare.

2021-2022

Projekti për Revitalizimin e Zonave të Degraduara

Let’s Do It Peja nisi projekte të reja për revitalizimin e zonave të ndotura dhe të degraduara, duke u përqendruar në hartografinë e hapësirave të gjelbërta dhe përmirësimin e cilësisë së tokës. Këto iniciativa synuan krijimin e hapësirave të qëndrueshme dhe të sigurta për komunitetin.

2023

Diversifikimi i Projekteve dhe Fushatave Edukative

Në këtë vit, organizata diversifikoi veprimtaritë e saj duke përfshirë fusha të reja si energjia e qëndrueshme dhe menaxhimi i ujërave. Let’s Do It Peja zgjeroi gjithashtu programet e edukimit dhe fushatat për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e biodiversitetit dhe mbrojtjen e natyrës.

2024

Përgatitja për Iniciativa të Reja

Në vitin 2024, Let’s Do It Peja po planifikon të zgjerojë më tej fushën e veprimtarisë së saj duke përgatitur iniciativat e reja për edukimin dhe angazhimin komunitar, me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të mjedisit në Kosovë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme.

Mes 2024

10-Vjetori dhe Kalimi në Rilindja Gjelbër

Në vitin 2024, Let’s Do It Peja festoi 10-vjetorin e formimit të saj me një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh të veçanta që përfshinin komunitetin dhe partnerët ndërkombëtar. Gjatë këtyre festimeve, u vendos që organizata të kalojë në një fazë të re duke ndryshuar emrin në Rilindja Gjelbër. Ky vendim u mor për të reflektuar më mirë zgjerimin e fokusit dhe qëllimeve të organizatës, duke përfshirë një angazhim më të madh ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe inovacionit mjedisor.

Njihuni me ekipen tonë

Fuqizuar nga mendjet e ekipit

Vlerat tona

Rilindja Gjelbër beson në profesionalizëm, integritet, respekt, besueshmëri, bashkëpunim, përshtatshmëri, transparencë, dhe gjithëpërfshirje si vlera kryesore. Këto vlera udhëheqin sjelljet, vendimet, dhe ndërveprimet tona, dhe formojnë kulturën tonë të punës për të arritur rezultate në organizatën tonë.

Profesionalizmi

Rritja e ndërgjegjësimit mjedisor për qytetarët, bizneset dhe vendim-marrësit në Kosovë është pikë me rëndësi e programit të Rilindja Gjelbër.

Integriteti

Të paanshëm politikisht dhe kredibil në zbatimin e projekteve, ndarjen e informacioneve me bashkëpunëtorë dhe palët e interesit nëpërmjet aplikimit të standardeve më të larta të ndershmërisë, dhe etikës në të gjitha veprimet dhe vendimet tona.

Besueshmëria

Të përgjegjshëm dhe të besueshëm në përmbushjen e obligimeve dhe detyrimeve që kemi ndaj anëtarëve, grupeve të interesit, institucioneve, donatorëve dhe publikut në përgjithësi.

Bashkëpunimi

Të orientuar drejt partneriteve dhe krijimit të urave bashkëpunuese me donatorë, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, aktivistë si dhe institucione vendore drejt qëllimeve të përbashkëta. 

Transparenca

Të hapur dhe të përgjegjshëm për llogaridhënie për punën tonë ndaj anëtarëve, partnerëve, institucioneve relevante, donatorëve, dhe grupeve  të interesit.

Gjithëpërfshirja

Një mjedis ku të gjithë trajtohen me dinjitet, respekt, dhe ndershmëri pavarësisht moshës, gjinisë, përkatësisë etnike, racës, religjionit apo të çfarëdo klasifikimi tjetër shoqëror e demografik.

European Solidarity Corps Certified

Organizata jonë bashkëpunon ngushtësisht me “US Peace Corps Kosovo” duke angazhuar vullnetarë nga SHBA për të kontribuar në zhvillimin e organizatës dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Njëkohësisht, Rilindja Gjelbër është e akredituar nga “Quality Label nga European Solidarity Corps” për pranim dhe dërgim e vullnetarëve në organizatat evropiane për vitet 2020 – 2027.

Përkrahje nga institucione të ndryshme ndërkombëtare

Deri më tani, aktivitetet dhe projektet e realizuara përfshijnë përkrahjen nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Fondet IPA, ERASMUS+, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Bullgarisë, UNDP, UNMIK, OSCE, USAID, UKAID, GIZ, DRC, RYCO, BACID, DRIN CORDA, KCSF, REC, People in Need, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Komuna e Pejës, Komuna e Gjakovës, Komuna e Istogut, FIQ, KEP, AFK, Raiffeisen Bank, etj. 

Behu pjesë e lëvizjes së gjelbër

Bashkohu me Rilindja Gjelbër dhe kontribuo në ruajtjen e mjedisit tonë. Çdo veprim i vogël ka rëndësi, dhe së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër.