Në një botë ku burimet natyrore po shndërrohen në një resurs gjithnjë e më të rrallë, çështja e qasjes së barabartë në ujë po bëhet gjithnjë e më urgjente.

Rreth 4 miliard njerëz, ose mbi 50% e popullsisë së botës, përballen me kushte të stresit të madh ujor për të paktën një muaj për çdo vit. Këto statistika janë një përkujtues i ashpër se uji është një brengë globale që i tejkalon kufijtë.

22 Marsi — Dita Botërore e Ujit nuk është një festë vetëm për të nderuar ujin si një burim jetik, por për të nxitur ndërgjegjësimin për rëndësinë e qasjes së barabartë ndaj tij, duke e konsideruar atë si një të drejtë themelore dhe jo si një privilegj që duhet marrë si i sigurt.

Uji, në të gjitha format e tij, është thelbësor për të gjitha format e jetës. Është në kuzhinat tona, në kultivimin e ushqimeve tona, përdoret në proceset industriale, në prodhimin e energjisë e në shumë produkte të tjera. Në mënyrën më të theksuar, uji është jetësor për shëndetin tonë, duke u përdorur për pijen, pastrimin dhe higjienën. Pra, qasja e barabartë ndaj tij është çështje që prek çdo aspekt të jetës sonë.

Megjithatë, realiteti është se disa komunitete dhe individë ende përballen me sfida të mëdha në lidhje me aksesin dhe kualitetin e ujit.

Ndërgjegjësimi për Ditën Botërore të Ujit na fton të bashkohemi në një angazhim të përbashkët për të mbrojtur dhe përdorur burimet ujore në mënyrë të qëndrueshme për të siguruar jetën dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të kësaj bote. Është koha për të vepruar bashkë për të shndërruar idenë e ujit si të drejtë në realitet.

Motoja e Ditës Botërore të Ujit për vitin 2024 është “Ujë për paqe”, pasi që uji mund të krijojë paqe ose të ndezë konflikte.

Uji si e drejtë, jo privilegj

Në Kosovë, si në shumë vende të tjera, qasja në ujë të pastër dhe të pijshëm mbetet një sfidë për një pjesë të popullatës.

Nga statistikat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2022, rreth 99,83% e popullsisë së Kosovës është e furnizuar me ujë nëpërmjet sistemit publik të menaxhuar nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU), ndërsa 0,17% e popullsisë nuk ka pasur qasje në shërbimin e ujësjellësit publik.

Donatorë të ndryshëm vendor e ndërkombëtar përgjatë dy dekadave të fundit ka investuar në sektorin e ujit të pijes dhe kanalizimit në Kosovë. Shumë banorë nga rajone të ndryshme të vendit e kanë “shuar etjen” falë këtyre investimeve milionëshe.

Një nga sfidat kryesore është përmirësimi i infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në zonat rurale të Kosovës.

Për të adresuar këto sfida, është e rëndësishme që qeveria dhe shoqëria civile të bashkëpunojnë për të zhvilluar politika dhe strategji të qëndrueshme për menaxhimin e ujërave. Investimet në infrastrukturën ujore, mbrojtja e burimeve ujore dhe ndërgjegjësimi i publikut për rëndësinë e kujdesit ndaj ujit janë disa nga hapat e rëndësishëm në drejtim të sigurimit të qasjes së barabartë në ujë të pastër dhe të pijshëm për të gjithë banorët e Kosovës.

Uji nuk duhet të jetë një privilegj për të privilegjuarit, por një e drejtë themelore për të gjithë qytetarët. Nëse Kosova do të shkojë përpara drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të sigurt, duhet të përqendrohet në garantimin e kësaj të drejte për të gjithë banorët e saj.

Lufta për ujin

Kosova përballet me sfida të konsiderueshme në menaxhimin e burimeve të saj ujore, dhe një nga pikat kyçe të debatit me Serbinë këto vitet e fundit është përdorimi i ujit nga Liqeni i Ujmanit.

Ky liqen, i vendosur në veri-perëndim të Kosovës, në Komunën e Zubin Potokut — një zonë me popullsi shumicë serbe, mbulon një sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë, ku 9.2 kilometra katrorë janë brenda territorit të Kosovës dhe 2.7 kilometra katrorë në Serbi.

Me një volum prej 370 milionë metrash kub, Liqeni i Ujmanit është një burim jetësor për rreth 600 mijë njerëz, ose një të tretën e popullsisë së Kosovës, duke u shërbyer jo vetëm për nevoja të pijes, por edhe si një burim vital për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe B gjatë muajve të verës. Kjo çështje reflekton kompleksitetin e sfidave që Kosova përballet në menaxhimin e burimeve të saj natyrore e sidomos ujore.

Ndotja e ujit

Lumi Krena, Grupi për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit

Ndotja e ujërave sipërfaqësore ku përfshihen lumenjtë, liqenet dhe oqeanet, shkaktohet nga substancat e dëmshme dhe ndotësit që rrjedhin nga aktivitetet njerëzore dhe burimet natyrore.

Kjo formë e ndotjes po kërcënon seriozisht burimet ujore globale, me studime që parashikojnë se më shumë se gjysma e popullsisë botërore mund të ndikohet nga ky fenomen deri në vitin 2100. UNICEF-i vlerëson se më shumë se 800,000 njerëz humbin jetën çdo vit për shkak të sëmundjeve të lidhura direkt me ujin e ndotur, mungesën e infrastrukturës së kanalizimeve dhe higjienën e dobët.

Kosova, si shumë vende të tjera, është duke u përballur me sfidën e ndotjes së ujit dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të luftuar këtë problem përmes nismave të ndryshme dhe fushatave për ndërgjegjësimin e publikut, në përpjekje për të mbrojtur burimet ujore për brezat e ardhshëm por një mobilizim adekuat mungon dhe një kornizë e qartë vepruese duhet të jetë evidente.

Uji dhe ndryshimet klimatike

Newcastle University

Uji dhe ndryshimet klimatike janë të lidhura ngushtë. Ngjarjet ekstreme të motit po e bëjnë ujin më të pakët, më të paparashikueshëm, më të ndotur. Këto ndikime gjatë gjithë ciklit të ujit kërcënojnë zhvillimin e qëndrueshëm, biodiversitetin dhe aksesin e njerëzve në ujë dhe kanalizime.

Ndryshimi i klimës po kërcënon të përkeqësojë situatën e ujit edhe në Kosovë, duke rrezikuar një ulje të mëtejme të disponueshmërisë së ujit deri në 20% në 20–30 vitet e ardhshme. Kjo krizë e afërt duhet të jetë një alarm për institucionet e Kosovës që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar qasje të sigurt në ujë të pijshëm.

Kursejeni ujin, uji është jetë!

Shpesh, reflektimi ynë mbi rëndësinë e kursimit dhe mbrojtjes së ujit vjen në momente kur ndiejmë mungesën e tij. Kur uji rrjedh lirshëm nga rubineti, tendenca jonë për të ndërmarrë veprime për kujdesin e duhur ndaj këtij burimi jetik shpesh zbehet. Ky cikël i përsëritur na tregon se nevoja për të vlerësuar dhe ruajtur ujin duhet të jetë e vazhdueshme, jo vetëm në kohë të thatësirës.

Uji luan një rol të pakrahasueshëm në jetën në Tokë; ai është kyç në rregullimin e temperaturës globale dhe të atij të trupit tonë, duke na mbajtur të hidratuar, të ftohtë, dhe funksional. Gjithashtu, ai është esencial për transportin e ushqimeve dhe oksigjenit nëpër qelizat tona. Përbërësi kritik në përbërjen e trupit tonë, uji zë 66% të peshës së trupit, 75% të trurit tonë, dhe një përqindje të ngjashme të bimësisë së gjallë në planet. Ky fakt nënvizon se sa pak mund të jetojmë pa të, duke qenë se një person mund të mbijetojë rreth një muaj pa ushqim, por vetëm disa ditë pa ujë, duke theksuar domosdoshmërinë e tij vitale për ekzistencën.

Përdorimi i ujit në jetën e përditshme?

Çdo person përdor mesatarisht 160 litra ujë çdo ditë.

Për të bërë punët e mirëmbajtjes së shtëpisë përdoren mesatarisht 3500 litra ujë në javë.

Sasia më e madhe e ujit të përdorur është ajo që shkon për tualetin e shtëpisë sonë.

Ne përdorim:

2 litra ujë, sa herë që do mbushim një çajnik;

25 litra ujë, sa herë që do lahemi në dush;

60 litra ujë, sa herë që vendosim në punë makinën rrobalarëse;

5 litra ujë, për të larë pjatat në shtëpi;

10 litra ujë, sa herë të shkarokojmë tualetin;

A e dini sa harxhon një rubinet i cili pikon pikë-pikë, pa i kushtuar askush vëmendje?

Ai harxhon afërsisht 283 deri në 387 litra ujë në javë!

Të gjithë jemi përdorues të ujit, andaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë, duke mos e shpërdoruar.

Disa fakte rreth ujit:

2.2 miliard njerëz ende jetojnë pa ujë të pijshëm të menaxhuar në mënyrë të sigurt, duke përfshirë 115 milionë njerëz që pinë ujë sipërfaqësor.

Përafërsisht gjysma e popullsisë së botës po përjeton mungesë të rëndë uji për të paktën një pjesë të vitit.

Fatkeqësitë e lidhura me ujin kanë dominuar listën e fatkeqësive gjatë 50 viteve të fundit dhe përbëjnë 70 për qind të të gjitha vdekjeve që lidhen me fatkeqësitë natyrore.

Ujërat ndërkufitare përbëjnë 60 për qind të rrjedhave të ujërave të ëmbla në botë dhe 153 vende kanë territor brenda të paktën 1 prej 310 pellgjeve ndërkufitare të lumenjve e liqeneve dhe kanë inventarizuar 468 sisteme akuiferesh ndërkufitare.

Vetëm 24 vende raportojnë se të gjitha basenet e tyre ndërkufitare mbulohen nga marrëveshjet e bashkëpunimit.

Bujqësia si e vetme përdor rreth 70% të burimeve natyrore ujore.

Në vitin 2022, mbi 50% e zonave të ujëmbledhësëve dhe rezervuarëve globalë shfaqën devijime nga kushtet normale.

Thatësirat midis 1970 dhe 2019 çuan në mbi 700,000 vdekje të lidhura me thatësirën dhe mbi 260 miliardë dollarë humbje ekonomike.

Midis 2001 dhe 2018, rreth 74% e të gjitha fatkeqësive natyrore ishin të lidhura me ujin.

Rreth 1.8 miliardë njerëz përballen me rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet në mbarë botën.

Disa fakte për Liqenin e Ujmanit:

Liqeni i Ujmanit, ViewKosova.com

Liqeni i Ujmanit, i njohur ndryshe si Gazivoda, zë një pjesë të rëndësishme të territorit të Republikës së Kosovës, duke u vendosur në veriperëndim të vendit, në komunën e Zubin Potokut. Liqeni, i cili u ndërtua ndërmjet viteve 1979 dhe 1984, mbulon një sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë, ku 9.2 kilometra katrorë ndodhen brenda kufijve të Kosovës dhe 2.7 kilometra katrorë në Serbi, dhe mban një sasi të madhe uji prej 370 milionë metrash kub. Me një gjatësi impresionuese prej 16.5 kilometrash, një gjerësi maksimale deri në 1.10 kilometra, dhe një thellësi që arrin deri në 105 metra, liqeni paraqet një burim të rëndësishëm natyror.

Hidrocentrali i Ujmanit, i vendosur në këtë liqen, ka një kapacitet prodhimi prej 35 megavat orësh, i ndarë në dy blloqe me nga 17.5 MW secili. Kanali i Ibër Lepencit, që zgjat 49 kilometra, është një pjesë kyçe e infrastrukturës që lidh liqenin me zonat përreth.

Uji nga Liqeni i Ujmanit shërben për nevoja të ndryshme, duke përfshirë ftohjen e termocentraleve në Obiliq, si dhe për nevoja industriale në fabrikën e Feronikelit në Drenas. Ai është jetik edhe për furnizimin me ujë të pijshëm të komunave si Prishtina, Mitrovica, Vushtrria, Drenasi, Skënderaj, Obiliqi, dhe Fushë Kosova, si dhe për ujitjen e rreth 12 mijë hektarëve të tokës bujqësore në disa rajone të Kosovës. Ky liqen gjithashtu kontribuon në mbushjen e dy liqeneve të rëndësishme, Batllavë dhe Badovc.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit bëhet nga autoriteti publik “Ibër Lepenc” me seli në Prishtinë, i cili operon nën pronësinë e qeverisë së Kosovës, duke e bërë këtë liqen një burim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Ky artikull është zhvilluar si pjesë e projektit “Promovimi i qasjes universale në ujë të pastër”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatuar nga Let’s Do It Peja.

Pikëpamjet, opinionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.